Shkarkimi i Presidentit, A2 mëson si do të orientohet opinioni i Venecias

Opinioni i Komisionit të Venecias në lidhje me procesin e shkarkimit të Kreut të Shtetit, pritet të jetë një tërheqje veshi sipër Presidentin ashtu edhe për mazhorancën.

 Kjo bëhet e ditur për A2 nga burime që ishin pjesë e takimeve që delegacioni i juristëve zhvilloi pak ditë më parë në Tiranë. Duket se ekspertët e Venecias i vlerësojnë veprimet e Presidentit Meta në tejkalim të kompetencave kushtetuese, kur ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, por nga ana tjetër ata duket se kanë krijuar përshtypjen se konflikti mes Metës dhe mazhorancës është më shumë politik sesa juridik.

A2 mësoi se këtë gjë ata e kanë shprehur edhe gjatë takimeve që zhvilluan në Tiranë, duke siguruar bashkëbiseduesit se nuk do të lejojnë që mazhoranca të përfitojë politikisht nga opinioni i tyre. Ekspertët e Venecias e kanë cilësuar një shpenzim të tepërt energjie dhe kohe ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, pasi mendojnë se ndonëse Kreu i Shtetit ka tejkaluar kompetencat, ato nuk janë të tilla sa të përbëjnë “shkelje të rëndë”, përcaktim ky që sipas Kushtetutës do t’i kushtonte atij mandatin presidencial.

 A2 mësoi se për të mbështetur këtë mendim, ekspertët kanë pyetur bashkëbiseduesit në Tiranë përse, për analogji, nuk u ngrit një komision hetimor kur Presidenti Meta injoroi afatet kushtetuese në rastin e dekretit për ministrin Lleshaj.

Çfarë opinioni i Venecias do të synojë është që të paktën në të ardhmen të evitohet tejkalimi i kompetencave kushtetuese nga Presidenti. Gjithashtu do të shprehet nevoja që ngritja e Gjykatës Kushtetuese të jetë sa më e shpejtë, për trajtimin e këtyre konflikteve.

Sa i përket pyetjeve të shtruara nga Komisioni Parlamentar për shkarkimin e Presidentit, duket se ato do të injorohen, pasi ekspertët e Venecias i kanë gjykuar disa prej tyre gati infantile.

Shkarkoni aplikacionin e A2