Merkel pas takimit me Ramën: Mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Gjermania do të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu deklaron zyra e shtypit të Kancelares Angela Merkel, përmes një deklarate zyrtare pas takimit me Kryeministrin Edi Rama në Berlin. Deklarata thekson se pavarësisht problemeve të Shqipërisë, janë bërë përmirësime.

“Në fund të shtatorit Bundestagu do të vendosë nëse Kancerlarja Merkel do të pranojë çeljen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin e Europian, në samitin që do të mbahet në mes të tetorit.

Gjermania e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 dhe mbështet futjen e shtetit ballkanik në Bashkimin Europian. Gjatë Konferencës për Ballkanin perëndimor, të mbajtur në Pozen, më 5 korrik 2019, Kancelarja vuri në dukje se pavarësisht vështirësive politike, kishte përmirësime të dukshme në të gjithë rajonin.

Shqipëria ka bashkëpunuar me Gjermaninë për shumë vite dhe Gjermania ka një interes të fortë për të kontribuar në stabilizimin e kushteve demokratike dhe kushtetuese të Shqipërisë, duke mbështetur procesin e transformimit”

Deklarata për mediat e zyrës së Kancelares gjermane

Në tetor, liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian do të marrin vendimin nëse do të nisin, apo jo, bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me unionin. Kohët e fundit është folur edhe për vendime të ndara për dy shtetet, edhe pse deri tani është dukur se po ecnin bashkë në këtë rrugëtim drejt integrimit në BE.

Shkarkoni aplikacionin e A2