Pakt Rama-Basha? Aleatët e PD: Po marrëveshjes, por të jetë transparente

Aleatët e Partisë Demokratike nuk e fshehin shqetësimin për një marrëveshje të dytë Rama-Basha. Të djegur nga eksperienca e paktit të vitit 2017, kërkojnë që këtë herë negociatat të bëhen në dritën e diellit dhe me pjesëmarrjen e jo vetëm dy aktoreve.

“Nuk jam dakord për një marrëveshje individuale Rama-Basha, sepse duket një marrëveshje pazaresh. Shqipëria nuk ka eksperience pozitive nga marrëveshjet individuale, edhe ajo e vitit 2017 nuk zgjidhi gjë. Unë jam për zgjedhje të qëndrueshme dhe ato arrihen kur bëhen pozitë-opozitë për probleme thelbësore që ka politika dhe shoqëria shqiptare”, tha kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

“Sigurisht që nuk do të bëhet një marrëveshje gjysmë okulte. Domethënë që na ngopën me lugë bosh, kjo është frika opozitare. Duhet një marrëveshje transparente, në sy të publikut. Çfarë ka kërkuar opozita, deri ku mbërrin, çfarë ofron maxhoranca, deri ku duron”, tha kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi.

Çfarë nuk duhet të mbajë kjo marrëveshje ia bëri të qartë Lulzim Bashës, ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili përjashtoi skenarin e bashkëqeverisjes PS-PD, sipas të cilit do të pengonte dhe do të sabotonte çdo mundësi për të rivendosur ligjin.

Hyrja në zgjedhje me Edi Ramën duket si një nga pengesat kryesore që mban palët larg tryezës së dialogut. Ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim, thotë se nuk i trembet Edi Ramës, aleatët më të vegjël kanë mendime të ndryshme.

“Mendoj që me Edi Ramën Kryeministër është shumë e vështirë të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë, nëse opozita mendon se po, unë nuk jam dakord që të hyhet në zgjedhje pa u ndëshkuar krimin elektoral”, thotë Duka. “Vendimi për të hyrë me Ramën, apo pa Ramën, do të merret prapë bashkë, me aleatët”, shprehet Shehi.

Ishin pikërisht këta aleatë, pjesë e grupimit të qendrës së djathtë, që para 30 qershorit i kërkonin lir Metës të negocionte për një marrëveshje. Por deklaratat e fundit te Kreut te Shtetit se në një prej protestave të opozitës mund të digjej Kuvendi, duket se ka krisur marrëdhëniet mes Presidentit dhe opozitës. Tani, sytë janë te ndërkombëtarët.

“Nuk u vlerësua ndërhyrja e Presidentit nga maxhoranca, kështu që natyrshëm duket sikur këtë rol sot mund ta luajnë ndërkombëtarët”, thotë Duka. “Ne e falënderojmë Presidentin, por nuk mund të pranojmë datën 13 tetor si zgjidhjen e kësaj problematike të madhe”, thotë Shehi.

Sa i përket aksionit opozitar, protestat mbeten ende opsioni kryesor, por dalja në shesh është shtyrë pas vendimit të BE-së për negociatat.

“Ne e falenderojmë Presidentin për rolin që ka luajtur, por opozita shqiptare, për pretendimet që i ka vënë vetes, nuk mund të pranojë datën 13 tetor si zgjidhje të gjithë kësaj problematike të madhe”, shprehet Shehi.

Opozita duket se kërkon të shmangë në këtë mënyrë përgjegjësinë nëse tetori nuk do të sjellë lajme të mira për Shqipërinë, nga Brukseli.

Shkarkoni aplikacionin e A2