Realizoi foton ikonë të protestave pro demokracisë, ndërron jetë Charlie Cole

Ndërron jetë në moshën 64 vjeçare Charlie Cole, një nga fotografët që shkrepi fotografinë ikonë “Njeriu Tank”, gjatë protestave në Sheshin Tiananmen. Imazhi i një njeriu që qëndronte i vetëm përballë një autokolone me tanke të ushtrisë kineze, një ditë pasi qindra persona u vranë, u bë simboli i protestave pro demokracisë në vitin 1989.

Cole ishte një nga 4 fotografët që regjistroi këtë skenë më 5 qershor të vitit 1989 nga ballkoni i një hoteli mbi Sheshin Tiananmen. Vetë fotografi, ndërsa kujtonte ato ditë të vështira tregonte se priste që personi që qëndronte përballë tankut të vritej dhe për këtë arsye ishte përgjegjësia e tij për të regjistruar atë që po ndodhte. Protestuesi i paidentifikuar u tërhoq më pas nga dy persona dhe ajo se çfarë ndodhi me të është e panjohur.

Charlie Cole e dinte se forcat e sigurisë kineze do ta kontrollonin dhe për këtë arsye e fshehu filmin e pazhvilluar në banjë. Shumë pak pas këtij veprimi, zyrtarët kinezë hynë në dhomën e tij të hotelit, kontrolluan dhe nuk gjetën asgjë.

30 vjet më parë Sheshi Tiananmen në Pekin u bë tema e ditës për shkak të protestave të mëdha ku kërkoheshin reforma dhe demokraci. Demonstruesit qëndruan për javë të tëra në shesh dhe më 3 qershor u dislokua ushtria e cila hapi zjarr ndaj tyre. Kina gjithmonë ka thënë se në këto ngjarje humbën jetën 200 civilë dhe forca sigurie, por nuk kanë nxjerrë dokumenta zyrtare. Ndërkohë që dëshmitarët dhe gazetarët e huaj raportonin në atë kohë për shifra që arrinin në 3000 viktima.

Protestat e sheshit Tiananmen janë ende një temë e çensuruar dhe në Kinën modern dhe fotot e “Njeriut Tank” janë të ndaluara.

Shkarkoni aplikacionin e A2