Tension midis Italisë dhe Kroacisë për përurimin e statujës të poetit “nacionalist”

Ka shkaktuar shumë diskutime vendosja në qytetin italian të Triestes, e statujës të poetit dhe politikanit Gabriele D’Annunzio, një nga intelektualët më të rafinuar të fillimit të shekullit të XX-të, por në të njëjtën kohë edhe një nga personazhet më kompleks të asaj periudhe.  

Polemikat më të mëdha kanë ardhur nga vendi fqinj, Kroacia, që ka reaguar me anë të presidentes së saj, Kolinda Kitarovic, sipas së cilës monumenti “ është i papranueshëm” sepse celebron “irredentizmin” italian, pra kërkesën e Italisë të tokave që tashmë janë pjesë e Kroacisë.

“Kooperimi italo-kroat bazohet në vlera që janë absolutisht të kundërta”, përfundon presidentja kroate në një postim në Twitter, të cilit i ka pasuar edhe një protestë zyrtare të Zagrebit drejtuar qeverisë italiane.

Gabriele D’Annunzio

Një nga poetët më të famshëm italian, D’Annunzio përfaqësuar në vitet e para të shekullit të kaluar edhe shpirtin romantik dhe nacionalist të politikës, që më pas do të ndiqej edhe nga qasja fillestare e fashizmit, që shtrembëroi kuptimin e filozofisë politike të tij.   

Akti më i famshëm politik i D’Annunzio ka ndodhur pikërisht 100 vite më parë, në shtatorin e vitit  1919, kur së bashku me disa trupa paramilitare italiane, pushtoi qytetin që sot quhet zyrtarisht Rijeka, ndërkohë që mbetet Fiume për italianët.  

D’Annunzio në Fiume (Rijeka) në 1919 gjatë shpalljes së “republikës”

Poeti – luftëtar krijoi për afro një vit një republikë në vete, madje ideoi një kushtetutë ku ndoshta për herë të parë në botë jepeshin të drejta të mëdha punëtorëve, pensione invaliditeti, votën për meshkuj dhe për femra, lirinë shprehjes, e religjionit dhe të orientimit seksual, autonomitë lokale etj, dukshëm shumë dekada para se të diskutoheshin në Europë.

Republika e tij ideale u shpërbë më pas nga vetë qeveria italiane, për t’ u aneksuar deri në vitin 1945, për të kaluar më pas në Jugosllavinë e Titos.   

Shkarkoni aplikacionin e A2