Burg për “yllin” e “Shtëpiake të Dëshpëruara” pas skandalit me pranimet në universitete

Skandali me pranimet në disa universitete prestigjioze amerikane sjell dënimin e parë dhe ai është kundër një aktoreje të njohur.

Felicity Huffman do të kalojë 14 ditë në burg, për shkak të përfshirjes së drejtpërdrejtë duke paguar 15 mijë dollarë në 2017 në mënyrë që përgjigjet e provimit të vajzës së saj të korrigjoheshin.

Ylli i serialit “Shtëpiake të Dëshpëruara” do të bëjë 250 orë shërbim komunitar dhe të paguajë një gjobë prej 30 mijë dollarësh.

Prindër dhe trajnerë atletike janë mes 50 personave të akuzuar për skemën e mashtrimit, por asnjë fëmijë nuk është përfshirë në këtë çështje gjyqësore.

“Nuk ka asnjë justifikim për veprimet e mija. Dua t’i kërkoj ndjesë sërish vajzës sime, bashkëshortit, familjes dhe komunitetit edukues për veprimet që kam bërë. Veçanërisht dua t’i kërkoj falje studentëve që punojnë shumë për t’u pranuar në kolegje”, tha aktorja.

Gjykatësja e çështjes, Indira Talwani tha se beson që Huffman të ketë pranuar përgjegjësi të plotë për atë çka bërë. Ndërkohë, prindërit e tjerë të përfshirë në skandal paguan ryshfet, ndryshuan provimet, madje modifikuan imazhe të sportistëve të tjerë duke vendosur fytyrën e fëmijëve të tyre për të provuar se ata kishin talent sportiv. 

Shkarkoni aplikacionin e A2