Mes politikës dhe artit, Rama në panairin e Berlinit, shet punimet për 3500 euro

Lobimi për hapjen e negociatave nuk është e vetmja arsye e prezencës së Edi Ramës në Berlin. Edhe në këtë vizitë, jeta e politikanit është e miksuar me atë të artistit. Ndaj, axhenda e Kryeministrit kalon nga takimi me Kancelaren Angela Merkel te publikimi i vizatimeve të tij dhe firmosja e autografeve.

Rama ka ekspozuar nga punimet në Panairin e Artit në Berlin, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të tretë, duke çelur dyert nga 12 deri më 15 shtator. Kryeministri është një nga 110 pjesëmarrësit kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave të sektorit, si ArtNet.com. “Galeria e tij me qendër në Berlin dhe Madrid, po ekspozon një skulpturë qeramike që ngjan me pllaka materiali të butë të grumbulluara mbi njëra-tjetrën, si dhe letër në mur me një model vizatimesh të vogla, me ngjyra të ndezura, mbi të cilat janë varur copa të vogla, amorfe qeramike”.

Skulpturimi është, sipas një përfaqësuesi të galerisë, diçka që Rama bën gjatë fundjavave. “Por vizatimet e artistit janë bërë “në punë”, kur ai është në rolin e politikanit”.

Sipas ArtNet, punimet e Ramës shiten në panair për 3500 euro secila. Për kë kërkon edhe autografin e tij, Kryeministri do të jetë të dielën në orën 13:30, në shoqërinë e Anri Salës dhe kritikut të artit Martin Herbert. Kopjet e librit me punimet e tij, Kryeministri i shfrytëzoi edhe si dhurata gjatë takimeve zyrtare me Kancelaren Merkel dhe kreun e Bundestagut gjerman Wolfgang Schauble.

Shkarkoni aplikacionin e A2