Thirrja e Veliajt në prag të nisjes së shkollës: Shmangni trafikun, ecni në këmbë

Erion Veliaj rikthen aksionin e pastrimit në Tiranë dy ditë para fillimit të shkollës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ka fshehur gëzimin e mazhorancës për takimin e kryeministrit Edi Rama me kancelaren gjemane Angela Merkel. Por, sipas Veliajt, anëtarësimi i vendit varet edhe nga ne.

“Ju gëzuam të gjithë faktit që kryeministri u takua me kancelaren Merkel për të avancuar kauzën e negociatave me Bashkimin Evropian. Disa gjëra i ka në dorë Gjermania apo Franca, por disa gjëra i kemi në dorë vetë. Pastrimin e kemi në dorë vetë dhe mbeturinat nuk na i kanë lënë armiqtë imagjinarë, por i kemi lënë vetë. Tirana sot është shumë më e pastër, por duhet të jetë xixë nëse realisht duam të jemi një vend evropian”, tha Veliaj.

Për të shmangur kaosin dhe trafikun e pritshëm ditën e parë të shkollës, Veliaj kërkoi që prindërit t’i shoqërojnë në këmbë ose me transport publik fëmijët e tyre. Ndërsa deklaroi masat e marra për qarkullimin e mjeteve.

“Tirana është kjo që kemi, me rrugët që ka pasur që në vitin 1989. Por, atëherë kishte 20 makina dhe sot ka 200 000. Le të mos ta kthejmë në ditë histerie trafiku të hënën në mëngjes, por në një ditë ku për distanca të vogla të bëjmë një shëtitje me fëmijët teksa i çojmë në çerdhe, kopsht apo në shkollë. Nga ora 07:00-09:00 nuk do të lejohen mjetet e tonazhit të rëndë”, tha Veliaj.

Me fillimin e mësimit në 16 shtator, Tirana do t’i kthehet ritmit të saj dhe trafikut në rrugë. Ndërsa një tjetër ngarkesë do të jetë pas një muaji, me nisjen e vitit akademik.

Shkarkoni aplikacionin e A2