Dita e ndërkombëtare e demokracisë, Meta: Ta shpëtojmë nga pengmarrja

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, presidenti Meta përcjell një tjetër mesazh për palët politike, duke mos kursyer kritikat ndaj qeverisë aktuale.

‘’Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri”,shkruan Meta.

Kreu i Shtetit, ndalet edhe tek kontratat e Partneritetit Publik Privat, një tjetër fenomen sipas tij që cenon demokracinë.

‘’Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe agjendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlerw e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore’’, Ilir Meta.

Presidenti Meta, apelon për ndërgjegjësim dhe reflektim, për të përmbushur një mision historik siç shprehet ai.

‘’Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime! Koha nuk pret! Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t’u përmbysur! Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë! O sot o kurrë!”, mbyllet mesazhi i Kreut të Shtetit.

Shkarkoni aplikacionin e A2