Italia lejon zbarkimin e 82 emigrantëve, Di Maio: Do shpërndahen në vende të tjera

Pas sorollatjeve disa ditore në det, siç është bërë e zakonshme kohët e fundit, autoritetet italiane lejuan anijen e shpëtimit “Ocean Viking” të hyjë në portin e Lampeduzës për të lënë aty 82 emigrantët që mbante në bord.

Në një deklaratë për mediat, ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio bëri me dije se emigrantët u lejuan që të zbarkonin në territorin italian, vetëm pasi vendet evropiane pranuan që ata të shpërndaheshin mes tyre.

“Është e qartë se edhe në të kaluarën, me qeveritë e mëhershme, qëllimi ynë ishte të sigurojmë që emigrantët që vijnë në Itali të shpërndahen në vende të tjera të Evropës. Tani është krijuar mekanizmi dhe kjo na mundëson të sigurohemi që kur një i huaj mbërrin në Itali me anije, të mund të dërgohet në vende evropiane”, u shpreh Di Maio.

Anija shpëtuese “Ocean Viking” ishte në misionin e saj të dytë prej dy javësh kërkonte një port për të zbarkuar emigrantët.

Shkarkoni aplikacionin e A2