Kur Lugina e Preshevës kërkon të mirëpresë shqiptarinë

Ne u nisëm drejt Preshevës, për një mision, ashtu sikurse bashkë me ne edhe shumë shqiptarë të tjerë. Në Preshevë këtë herë nuk do të rrëfejmë vetëm histori suksesi, por edhe do të ndërveprojmë.

Por, a do të mundet një ekspozitë dhe disa rrëfime ta kryejë këtë mision në komunat shqiptare në Serbi?

Jeta është e vështirë? Ne do t’ua rrëfejmë këtë përmes këtij misioni sa artistik, po aq edhe social.

121 portrete në fotografi që rrëfenin historitë e tyre, ishte ekspozita e çelur në Preshevë, pas rrugëtimit në disa qytete të shqiptarisë. Lugina e shqiptarëve në Serbi ishte ndalesa e radhës. E bashkë me fotografitë, krijuesja e kësaj ekspozite, Flora Nikolla, në këtë luginë solli edhe historitë e gjalla të këtyre zonjave. Sepse shqiptarët e Preshevës, në shtëpinë e kulturës nuk i kishin sytë vetëm te portretet e ekspozuara, por edhe te historitë e tyre. Ata kërkonin përmes vështrimit ndihmë.

Po si mund t’iu vijë në ndihmë gjinekologia e parë shqiptare në Ulqin, apo një biologe që u bë e para grua biznesmene në Prishtinën e pasluftës? Rrëfime të tilla, që i mblodhëm nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova e Maqedonia ne i përcollëm në Preshevë.

Zylfije Gjoni Duraku është vetëm një prej atyre që kanë refuzuar një pagë më të lartë vetëm për të shërbyer në vendin e saj. Ajo ka pritur në jetë mijëra fëmijë shqiptarë. Duart e saj rrëfejnë një jetë për të cilën nuk është penduar aspak. Pikërisht me këtë mesazh vjen edhe në Luginën e Preshevës. T’iu thotë të rinjve që disa ideale nuk blihen me asnjë vlerë. Edhe pse në prag të daljes në pension, ajo kërkon të lërë sërish gjurmë. Kur mbërrin në Preshevë dhe kupton që as materniteti këtu nuk ka një sallë operimi, misioni i saj jehon më fort.

Havushe Bajrami është një tjetër zonjë që ia ka dale të jetë e sukseshme, edhe pasi lufta në Kosovë i shkatërroi gjithçka. Ndaj edhe këto zonja nuk manifestuan në Preshevë vetëm një ekspozitë, manifestuan gjithçka nga misioni i tyre, për t’iu rrëfyer të rinjve se të braktisësh vendin nuk është e vetmja zgjidhje.

Shkarkoni aplikacionin e A2