Tregu i telekomunikacionit, AKEP: Hapësirë për një operator të katërt – A2

Tregu i telekomunikacionit, AKEP: Hapësirë për një operator të katërt

DIEL AKEP CELULARET.duplicate frame 912 1100x620
Video

15 milionë euro ka arkëtuar shteti shqiptar nga shitja e 2 prej blloqeve të lira të frekuencave në brezin 800 MHZ. Pas Vodafone, edhe Telekom Albania ka fituar të drejtën e përdorimit të këtyre valëve, teksa mbetet edhe një bllok i lirë, që pritet të tenderohet në muajt në vijim.
Po çfarë do të thotë kjo për përdoruesit e celularëve?

“Mbulimi me sinjal dhe shërbimi do të jetë shumë më i mirë. Një tjetër përfitim është shpejtësia e komunikimit që arrihet përmes këtyre frekuencave. Ne përdorim këtë lloj brezi 800 Mhz, i cili është brezi i fundit i kualifikuar si teknologjitë 4G, pas kësaj ne fillojmë të mendojmë për teknologjinë 5G”, deklaroi Drejtori i autorizimeve në AKEP, Jetmir Braha.

Ndërkohë, drejtori i Autorizimeve në AKEP shpjegon se tregu i telekomunikacionit i ka mundësitë për futjen e një operatori të katërt.

“Ka një brez të lirë 800 MHZ i cili iu jep mundësi operatorëve të rinj të hyjnë në treg kur ai të ritenderohet, pasi procedura tashmë mbyllet me ofertën e bërë nga Telekom Albania. Ndërkohë që ka edhe mundësi të tjera për operatorë të rinj celularë, virtualë quhen, pa rrjet, të cilët mbivendosen në rrjetin e një operatori tjetër”, shtoi Braha.

Shqipëria ndërkohë po përgatitet të ndjekë trendin botëror për implementimin e teknologjisë 5G. Kështu, pritet një tenderim i frekuencave përkatëse në të ardhmen e afërt.