Viti i ri shkollor, Policia Rrugore e Tiranës publikon planin e masave

Policia Rrugore e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash me rastin e fillimit të sezonit të ri shkollor 2019 – 2020 me qëllim menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore pranë shkollave dhe kontrollin rigoroz të mënyrës së transportit të fëmijëve.

Rrugorët e kryeqytetit iu bëjnë thirrje përdoruesve të mjeteve që transportojnë nxënës dhe prindërve që të zbatojnë në mënyrë rigoroze normat e parashikuara në Kodin Rrugor për sigurimin e fëmijëve pasi nuk do të ketë asnjë tolerancë për ta.

Deklarata e Policisë Rrugore të Tiranës

Në prag të nisjes së sezonit të ri shkollor 2019 – 2020, policia rrugore e Tiranës ka hartuar një plan veprimi me detyra specifike, në lidhje me menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore pranë shkollave e institucioneve të tjera arsimore, si dhe kontrollin rigoroz të mënyrës së transportit të fëmijëve në moshë jo madhore kryesisht për ata deri ne12 vjeç, për të cilët Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë parashikon përdorimin e sistemeve të fiksimit me qëllim sigurimin e tyre dhe parandalimin e pasojave që mund të vijnë si rezultat i ngjarjeve rrugore.

Duke parë neglizhencën e përdoruesve të mjeteve në raport me rregullat e qarkullimit rrugor që parashikohen për pasagjerët deri në moshën 12 vjeç, si dhe faktin që ditët e para të shkollës shumica e prindërve apo të afërmve, i dërgojnë fëmijët në shkollë me mjetet e tyre, rrugorët e kryeqytetit apelojnë për kujdes të shtuar dhe zbatimin rigoroz të normave të parashikuara në  Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, pasi në asnjë rrethanë, për sigurinë e tyre, nuk do ketë tolerancë për drejtuesit e mjeteve apo personat që janë ngarkuar me mbikqyrjen e fëmijëve që nuk i kanë siguruar këta të fundit, sipas parashikimeve të dispozitave ligjore në fuqi.

Shkarkoni aplikacionin e A2