77-vjetori i Konferencës së Pezës, Meta dhe socialistët mesazhe për integrimin

Në festimet e 77-vjetorit të Konferencës së Pezës, Presidenti Ilir Meta është shfaqur në krah të përfaqësuesve të shumicës, por kreu i shtetit nuk i kurseu mesazhet politike jo vetëm për socialistët, por edhe për opozitën.

“Qëllimi ynë sot i përbashkët, interesi ynë kombëtar është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Një proces që antagonizmi politik e ka vonuar shumë. Kam dhënë shumë mesazhe dhe sjellja ime si President ka qenë funksion të realizimit të këtij interesi kombëtar më 18 tetor, kur do të merret një vendim për Shqipërinë. Kërkesa ime për të gjithë aktorët dhe forcat politike është t’i kërkojnë BE, pavarësisht nga problemet e deritanishme, t’i thotë një po çeljes së negociatave”, tha Presidenti.

Nga Gjermania, kanë ardhur sinjalet se Shqipërisë mund t’i hapen negociatat me kushte dhe Presidenti i Republikës u vetëofrua për kushte nga Brukseli. “Nëse do të ketë kushte për çeljen e tyre, duhet të vendosin kusht për çdo institucion dhe çdo aktor, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, në mënyrë që të gjithë të jenë të qartë se kushdo të jetë një pengesë në të ardhmen për të vonuar këtë proces, këtë qëllim mbarëkombëtar që na fton për bashkëpunim se i tillë është mesazhi që vjen nga Peza”, shtoi Meta.

Kërkesën që palët politike të jenë bashkë për integrimin, Meta e lëshoi edhe gjatë fjalës në ceremoninë e rastit. Përgjigje, jo vetëm për integrimin, por edhe për deklaratat e Presidentit se pluralizmi politik është në rrezik, i ktheu Kryebashkiaku Erjon Veliaj. “Megjithatë, të gjithë e dimë që pluralizmi ishte këtu në Pezë por kur u shkrepën armët vetëm partizanët vajtën për të luftuar, ndaj patjetër që duhet ta inkurajojmë pluralizmin por kudo, edhe kur shkojmë në kuti të votimit edhe kur shkojmë dhe flasim me kancelaritë e huaja, edhe kur përfaqësojmë bindje të ndryshme, ama kurrë nuk do të shkrehim pushkë kundër Shqipërisë”, tha Veliaj.

Ndryshe nga Veliaj, zëvendëskryeministri Erion Braçe nuk u pa të shkëmbente bisedë me Ilir Metën, por kur foli për kundërshtarë të perëndimit në Shqipëri, duket se kishte ndër mend pikërisht Presidentin. “Mos i harroni tradhtarët, as tradhtia nuk është e Kinostudios. Qeveritë i shpallën luftë Anglisë, Francës dhe në dhjetor edhe SHBA, është i vetmi akt i turpshëm që politikanë kohë pas kohe kanë ndërmarrë dhe marrin, t’i shpallin luftë perëndimit”, tha Braçe.

Presidenti dhe përfaqësuesit e shumicës vunë kurora me lule pranë varrezave të të rënëve, ndërsa pas tyre, ashtu si tradicionalisht, erdhën edhe ithtarët e Partise Komuniste.

Shkarkoni aplikacionin e A2