Arrestohen 12 ultras juventinë

12 udhëheqës të grupimeve ultras të Juventus janë arrestuar si pjesë e një hetimi të Policisë torineze. Ndaj tyre janë ngritur një sërë akuzash, si zhvatje, pastrim parash dhe veprime të dhunshme. Hetuesit po kryejnë operacione edhe në qytete të tjera këtë të hënë, si në Milano, Peskara, Mantova dhe Xhenova, si pjesë e një aksioni të bashkërenduar për të luftuar huliganizmin në futboll.

Hetimet kanë përfshirë disa nga grupet më të mëdha ultras të “Zonjës së Vjetër”, si “Drughi”, “Tradizione-Antichistickes”, “Viking”, “Nucleo 1985” dhe “Quelli”. Arrestimet janë kryer falë bashkëpunimit të zyrtarëve të klubit me policinë, të cilët kanë shprehur disa herë vullnetin për të zhdukur dhunën nga shkallët e stadiumit të tyre.

25 persona të tjerë janë denoncuar për vepra të dhunshme. “Këto janë persona që e kanë dhunën në stilin e tyre të jetesës, tifozeria është pretekst, as prania e fëmijëve në stadiume nuk i ndal”, citohet prokurorja e çështjes Patrizia Caputo.

Shkarkoni aplikacionin e A2