Boçi: Arsimi në rrënim, në kohën e PD-së ana profesionale prevalonte nga bindjet politike

“Kushtet janë rënduar, situata është më dramatike se një vit më parë, akoma më shumë se 6 vite më parë”, thotë ish deputeti i PD-së Luçiano Boçi, duke iu referuar situatës në arsim.

I ftuar në A2, Boçi denoncon “mësimin me turne, një proces rrënues edukativ”, si dhe i bën përshtypje,   “përqendrimi i ligjërimit politik tek procesi mësimor, ndërsa pjesa e edukimit të brezave është lënë pas dore, sepse edukimi nuk është thjesht mësimi me rregullat qytetare, por edhe sesi shkolla ndërvepron me komunitetin, dhe sesi shkolla zbulon talentet e nxënësit në fushën që do të ndjekë në jetën e tij profesionale”.

Sipas tij, duke iu përgjigjur edhe inaugurimeve të fundit të kryeministrit në këtë fushë “ndërhyrjet në godinat shtetërore janë minimale, propaganda vazhdon të thotë se ndërton 17 shkolla të reja në vit”, ndërkohë që  mësuesit kacafyten me njëri tjetrin për vendin e punës”.

Për sa i përket fenomenit të emërimeve të militantëve Boçi thotë që ekzekutivi kishte “6 vite kohë të vendoste ato parime që do të shmangnin ndërhyrjet politike. Thelbi i drejtimi të institucionit arsimor është drejtuesi, ndërkohë që ai është thjesht figurë politike”.

Diçka e tillë, akuzon mazhoranca, ndodhte edhe gjatë qeverisë demokrate. Për këtë Ish deputeti i PD thotë se “ situata nuk është bardhezi, dhe presionet politike ekzistojnë në çdo ambient pune, por janë parimet, rregullat dhe ndërhyrjet e drejtuesve që duhet të kryejnë një përzgjedhje reale tek ato që konkurrojnë. Në kohen e PD-së, te paktën ana profesionale prevalonte nga bindjet politike”.

Shkarkoni aplikacionin e A2