Daci: Reforma në Drejtësi ka ngecje pasi mungon vullneti politik për ngritjen e institucioneve

Jordan Daci, avokat dhe profesor i të drejtës kushtetuese, i ftuar në studion e Ditari në A2 deklaroi se “Reforma në Drejtësi ka patur dhe ka ende ngecje përsa i përket ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë”, pasi, sipas tij, mungon “vullneti politik për të ngritur këto institucione”.

“Shumë veprime kanë qenë të ngadalta dhe të shtyra në kohë. Minimalisht, përsa i përket emërimit të anëtarëve që vijnë jo nga gjyqësori, mund të ishte bërë më parë. Procedurat për ngritjen e tyre duket sikur po ecin tani, por me afate tepër të ngadalta. Do të doja që Gjykata Kushtetuese të krijohej brenda këtij viti, por shpresa ka filluar të zbehet. Për më tepër, edhe emërimi i atyre që janë sot në garë, mendoj se nuk e zgjidh çështjen e Gjykatës Kushtetuese sepse për të marrë vendime kësaj gjykate i duhen 5 anëtarë. Edhe nëse bëhen 5 anëtarë, do të ketë sërish probleme në funksionimin normal të kësaj gjykate, pasi duhet një votim unanim për vendimet e saj”, shpjegoi Daci.

Në lidhje me 18 Tetorin, datën kur do të vendoset nëse hapen apo jo negociatat me Shqipërinë, avokati theksoi: “Nëse hapen negociatat, kjo nuk do të vijë se kemi shkëlqyer, përkundrazi. Ne jemi ngelësit më të mirë të të gjithë kohërave në raport me integrimin evropian nëse krahasojmë progresin e vendeve të tjera. Jemi vendi më skandaloz në raport me përmbushjen e detyrimeve. Por, shpresoj që të hapen negociatat në mënyrë që ne të kemi një arsye më shumë për të ndryshuar sadopak qasjen në raport me problematikën e vendit”.  

Por, Daci shtoi se gjatë negociatave do të vendosen kushte dhe “kushte optimale me njerëz të paaftë që të përfaqësojnë nuk mund të marrësh kurrë”.

“Ne kemi një destabilitet të theksuar në radhët e administrates”, tha Daci.

Avokati u shpreh edhe mbi shkeljen e mundshme të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Sipas tij, “mendimi i Komisionit të Venecias në një farë mënyrë do të jetë deri diku detyrues edhe për gjykatën”.

“Nuk duhet ta kishte kërkuar Kuvendi mendimin, por duhet t’ia kishte lënë gjykatës. Mendoj se Komisioni i Venecias nuk do të konstatojë shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Mendoj se do t’i duhen vetëm pak orë ose pak ditë për të dalë në këtë përfundim. Gjithsesi, mendoj se kjo mazhorancë do ta çojë deri në fund nismën e saj. Një komision hetimor serioz do të duhej të tërhiqej. Teorikisht, mendimi i Komisionit të Venecias duhet ta bindë, pasi vetë komisioni e kërkoi”, theksoi Daci.

Shkarkoni aplikacionin e A2