Grupi parlamentar demokrat padi në Prokurori për PPP-të

Halit Valteri është një nga deputetet e opozitës në Komisionin Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës. Por pavarësisht shkeljeve të pretenduara  nga ky komision të Kushtetutës nëpërmjet dekreteve të Presidentit, opozita parlamentare duket se i ka bazë për aksionin e saj.

Argumentet me të cilat Ilir Meta ktheu koncesionet e Milot-Balldren dhe Dukat-Orikum, u përfshinë në padi që grupi parlamentar demokrat dorëzoi në Prokurorinë e Tiranës, pikërisht nga Halit Valteri.

“Kallëzim penal për të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes, që nga specialisti më i thjeshtë e deri te përgjegjësi më i lartë i cili ka hedhur firma dhe ka dorë në këtë mega-skandal ku i grabiten qindra miliona euro qytetarëve shqiptarë. Qeveria nuk i kishte votat, por u detyrua të huazonte deputetë “opozitarë” të cilët me paturpësinë më të madhe i ngarkuan shqiptarëve një borxh publik që duhen dekada për t’i shlyer”, tha Valteri.

Janë dy, veprat penale të nënvizuara në padi, shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tenderë. Akuza këto të ngritura dhe më herët nga opozita jashtë parlamentare, e cila për të bërë denoncime të tjera përveç atyre publike, është ende në pritje të Gjykatës Kushtetuese apo dhe gjykatave ndërkombëtare.

2 marrëveshjet e Partneritetit Publik-Privat u kthyen nga Presidenti në Kuvend si abuzive dhe me shkelje të rënda. Por maxhoranca i rivotoi të pandryshuara në seancën e 12 shtatorit.

Shkarkoni aplikacionin e A2