“Ka vjedhur makina në Siçili”, reagon Babani: Të shkojnë në Prokurori

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani, ka reaguar përsëri sot pas akuzave të PD-së, të cilët nxorën dokumente që, sipas tyre, faktonin se Babani ka qenë i arrestuar ne Sicili, pjesë e një bande që grabiste makina dhe se është dënuar dhe dëbuar nga shteti fqinj.

Në reagimin e tij Babani tha se askush nuk ka shans ta bëjë atë me emër tjetër, ndërsa shtoi se lekët që do fitojë nga gjyqi do t’i çojë për rregullimin e shkollës së djegur nga opozita para 30 qershorit.

Gjithashtu, kryebashkiaku Vaut të Dejës i quajti akuzat shpifje dhe histori e sajuar, ndërsa tha se do të bëjë padi për shpifje ndaj Gazment Bardhit.

“E gjithë kjo histori është e sajuar që nuk ka lidhje me mua. Unë deklarimet i kam bërë të qarta, ata nëse kanë fakte mund të kishin shkuar në Prokurori. Mua nuk më ndalin. Unë po pres që ata të bëjnë padinë në Prokurori, po pres ftesën e Prokurorisë dhe jam i gatshëm të shkoj e të jap deklarimet e mia. Ata meqë e kane bërë padinë pse dalin të flasin në televizor? Me 4 prill 1994 deri më 27.10.1994 kam qenë në hotel në punë, gjatë gjithë kësaj periudhe, dhe këto janë vitet e mia të punës. Unë në jetën time nuk kam qenë kurrë i ndaluar. Nuk kam asnjë person të njerëzve me të cilët kam bashkëpunuar atje nuk ka pas emrin Saimir. Unë kam autorizuar avokatët e mi dhe po shoh para se Prokuroria të dalë me një vendim që t’i bëj një denoncim zotit Bardhi për shpifje. Nuk kam ndryshuar asnjëherë emër e as mbiemër”, ka reaguar Babani. Bardhi reagoi sërish pas kësaj deklarate të Mark Babanit, duke bërë edhe ironi me emrin e tij. “Kur Marq Babaj të më padisë, të më njoftojë me cilin nga 4-5-6-7 emrat që ka përdorur Mark Babani i Edi Ramës për t’iu fshehur drejtësisë italiane, duhet ta kërkoj në sistemin e gjykatës”.