Komenti racist i analistit: Lukaku ndalet vetëm po i hodhe 10 banane…

Një analist sportiv italian është përjashtuar nga televizioni ku punonte pas një komenti racist të bërë në adresë të sulmuesit interist, Romelu Lukaku. Luciano Passirani, i ftuar në televizionin italian TopCalcio24, tha duke komentuar paraqitjen e sulmuesit belg në ndeshjen e fundit të kampionatit, kundër Udinese.

“Është i pandalshëm. Nëse del në duel ballë për ballë me të, je i vdekur, do të rrëzohesh. Shpëton vetëm nëse ke 10 banane për t’ia dhënë që t’i hajë, përndryshe…”, tha Passirani. Drejtori i televizionit, Fabio Ravezzani, doli në transmetim thuajse menjëherë pas këtij episodi dhe kërkoi falje, duke shtuar që Passirani nuk do të dilte më kurrë në transmetim.

Lukaku është bërë protagonist i disa incidenteve raciste që kur u transferua në Itali nga Manchester United këtë verë. Tifozët e Cagliari-t e vërshëllyen ndërsa po bëhej gati të godiste penalltinë gjatë një ndeshjeje dhe vetë tifozët e Inter-it i dërguan një letër të hapur ku i thoshin se kjo ishte një “teknikë” për të irrituar kundërshtarin.

Vetë Lukaku, duke komentuar mbi këtë temë tha disa ditë më parë se lojtarët duhet të largohen nga fusha kur ndaj tyre ka ofendime raciste.

Shkarkoni aplikacionin e A2