Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Mesazhi i Metës për ditën e parë të shkollës: Fëmijët që e kanë braktisur, t’i rikthehen sa më parë shkollës

Nga A2 CNN
16 Shtator 2019, 08:24 | Sociale
Mesazhi i Metës për ditën e parë të shkollës:

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë nxënësit në ditën e parë të vitit të ri shkollor, me një mesazh në Facebook.

“Të dashur vogëlushë që uleni sot për herë të parë në bankat e shkollës, ju u uroj me zemër shumë suksese dhe një vit të mbarë shkollor, në nisjen e rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, plot me ngjyra si ëndrrat tuaja! Sot ju hidhni hapin më të madh e më të rëndësishëm, suksesi i të cilit, do ju ndihmojë të fitoni garat e tjera të jetës. Me mësuesit, si udhërrëfyes e bashkëudhëtarë, jam i bindur se do të jeni një brez i ditur që do t’ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë”, shkruan Meta në rrjetin social.

“Uroj gjithashtu shumë suksese edhe për të gjithë nxënësit në këtë vit të ri shkollor, në përpjekjet e tyre për nxënien e dijeve të reja, aq të domosdoshme në përballimin e dallgëve të jetës. Mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësuesit, që me punë të palodhur, përkushtim e sakrifica arsimojnë denjësisht brezat e rinj. Përmbushje me sukses të misionit tuaj fisnik të edukimit”, shton Meta.

Në mesazhin e tij të urimit, Presidenti bën edhe një thirrje për fëmijët që kanë braktisur shkollën: “Gjithashtu, sot është dita për t’ju bërë një thirrje edhe të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë. Prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja plot sfida, është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek gjenerata më e re. Ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen tonë europiane.
Vetëm kështu ne mund të rrisim shpresën dhe besimin se do t’i kapërcejmë me sukses sfidat e së ardhmes, në radhë të parë në interesin e fëmijëve tanë, të cilët janë drita e syve, shpirti dhe zemra e çdo familjeje shqiptare, dhe e shoqërisë sonë”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani