Negociatat, Balla: I kemi përmbushur detyrat për të marrë “po”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas takimit me Sekretarin e Shtetit Parlamentar të Gjermanisë, Christian Lange, tha se “ecuria pozitive e Reformës në Drejtësi” ka bindur deputetët e Bundestagut për të votuar pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

“Është pikërisht ecuria kaq pozitive e Reformës në Drejtësi, shoqëruar me hapa të tjerë të rëndësishëm si ato kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështje të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, që kanë bindur tashmë jo vetëm Komisionin Evropian, por edhe grupet parlamentare në Bundestag. Zoti Lange më dorëzoi qëndrimin e grupit social-demokrat, ku thuhet se deputetët e këtij grupi do të mbështesin votën pro për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë”, tha Balla.

Në lidhje me vazhdimësinë e Reformës Zgjedhore pa opozitën, Balla tha: “Dëshira jonë ka qenë që Reforma Zgjedhore të zhvillohet dhe të kryhet me dakordësinë e një spektri të gjerë të politikës shqiptare. Përpjekjet tona do të vijojnë dhe besoj se gjatë javës tjetër do të kemi edhe një tryezë të komisionit, me qëllim që të gjitha partitë të shprehin këndvështrimin e tyre”.

Shkarkoni aplikacionin e A2