Presidenti Meta publikon shpjegimet që i ka dorëzuar Venecias

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka bërë publik raportin prej 55 faqesh, dosjen shpjeguese që i dorëzoi Komisionit të Venecias, se përse i shtyu zgjedhjet e 30 qershorit.

Kreu i shtetit shpjegon se mos hetimi i dosjeve penale 184 dhe 339 dhe fakti që personat e përfshirë në këto krime zgjedhore gëzonin edhe imunitet politik, nxitën opozitën të ndërmerrte hapin ekstrem të dorëheqjes në bllok nga mandatet parlamentare. Mazhoranca reagoi duke zëvendësuar pa vonesë dhe në kundërshtim me ligjin një pjesë të mandateve parlamentare me kandidatë të mbetur kryesisht në fund të listave shumë-emërore të opozitës.

Presidenti argumenton se kjo situatë do të komplikohej më tej si pasojë e mosfunksionimit prej  të Gjykatës Kushtetuese. Përpjekjet disa mujore dhe intensive të Presidentit të Republikës, dhe thirrjet e aktorëve të tjerë vendas dhe të huaj për rivendosjen urgjent të dialogut politik ndërmjet palëve, qenë të pasuksesshme, thuhet ne raport.

“Antagonizmi politik në rritje mes palëve, gjuha e urrejtjes dhe e përçarjes nxitën përshkallëzimin dhe tensionin”, sqaron Meta.

Presidenti rikonfirmon se ka marrë informacione kritike se mund të cenohej si siguria publike ashtu edhe pluralizmi politik në vend. “Presidenti anuloi zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershor 2019, gjë që ndikoi menjëherë në qetësimin e situatës”, thuhet ne raportin shpjegues.

Raporti 55 faqe është publikuar në faqen zyrtare të Presidencës

Shkarkoni aplikacionin e A2