Sulmi ndaj rafinerive të naftës, SHBA publikon provat që fajësojnë Iranin

Shtetet e Bashkuara publikuan imazhe satelitore dhe cituan shërbimet sekrete për të mbështetur pretendimin se Irani qëndron pas sulmeve me dron kundër rafinerive saudite të naftës.

Irani mohon përfshirjen në sulmet ajrore të së shtunës, që u morën përsipër nga rebelët huthi në Jemen, të lidhur me Iranin. Por, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga mediat amerikane dhe ndërkombëtare, orientimi dhe shtrirja e sulmeve hedh dyshime mbi përfshirjen e rebelëve huthi.

Një imazh i afruar i cisternave të dëmtuara në rafinerinë e Abqaiq, duket se tregon një prej pikave të impaktit në anën perëndimore, nga gjendet Irani dhe Iraku. 

Samantha Vinograd, analiste e CNN për sigurinë kombëtare, tha: “Me shumë gjasë Irani qëndron pas këtyre sulmeve. Nëse kjo do të konfirmohet, situata do të përshkallëzonte ndjeshëm”.

Sulmi reduktoi me 5% furnizimet me naftë, ndërsa çmimet pësuan një rritje të konsiderueshme. Presidenti amerikan sugjeroi aksion të mundshëm ushtarak pasi autori të konfirmohej. Donald Trump tha: “Furnizimet me naftë të Arabisë Saudite u sulmuan. Ka arsye të besojmë se e njohim fajtorin. Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për të konfirmuar autorët e sulmit, por do të presim edhe prononcimin e Arabisë Saudite për të përcaktuar mënyrën e veprimit”.

Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, thonë se kishin përdorur 10 dronë për të kryer sulmet, por Sekretari Amerikan i Shtetit e mohon pretendimin. Sipas tij, nuk ka prova që sulmet të kenë ardhur nga Jemeni.  

Shkarkoni aplikacionin e A2