Hapen apo jo negociatat? Cakaj përballë Hajdarit në Komisionin e Integrimit

Komisioni për Integrimin Evropian thirri të martën në një seancë dëgjimore ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakajn, për të raportuar mbi shanset e Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Cakaj tha se “qoftë nga kapaciteti administrativ për shkak të “screening”, qoftë nga përmbushja e kushteve, Shqipëria është e gatshme të nisë procesin e negociimit”.

Kur kryetarja e komisionit, Rudina Hajdari, e pyeti mbi vendet skeptike që mund të japin një vendim negative, deklaroi se “çdo vend ka specifikën e vet dhe shqetësimet e tyre nuk lidhen me të njëjtat çështje”.

“Kemi një plan komunikimi sipas veçorive të secilit vend. Shqipëria është vend me shumë probleme, por thelbi i çështjes është nëse Shqipëria ka marrë masa për hapjen e negociatave. Shqipëria ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në rajon për të merituar negociatat”, deklaroi Cakaj.

Ministri i Jashtëm në detyrë sqaroi më tej se “nuk është kusht që SPAK dhe BKH duhet të jenë tërësisht funksionale për të hapur negociatat”, por, sipas tij, “është kusht finalizimi i procedurave për ndërtimin e SPAK dhe BKH dhe ky proces ka nisur”.

“Pra, ky është një kusht i përmbushur. Shqipëria nuk e ka luksin që për shkak të problemeve të brendshme të bëjë interpretime për të penguar procesin e hapjes së negociatave se nuk janë përmbushur kushte që nuk ekzistojnë as në konkluzionet e Këshillit”, theksoi Cakaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2