
Komisioni Hetimor i ngritur nga Parlamenti për të hetuar mbi shkeljet e Presidentit Meta pritet të shtyjë afatin e punimeve të veta deri në fund të muajit tetor. Fillimisht, ishte planifikuar që ky komision të mbyllte punimet më 8 tetor, por vendimi pritet të merret në mbledhjen e radhës, që do të mbahet të mërkurën.
Ky vendim është marrë sepse edhe raporti paraprak i Komisionit të Venecias – të cilit Komisioni Hetimor i ka drejtuar tetë pyetje mbi veprimet e Presidentit – vjen në këtë periudhë.
Në mbledhjen e programuar për datën 11 tetor të Komisionit të Venecias, ku do të shqyrtohet edhe kërkesa e komisionit parlamentar shqiptar, do të jenë të pranishëm një përfaqësues i Kuvendit dhe një nga Presidenca.
Me publikimin e raportit final nga ana e Komisionit të Venecias, Komisioni Hetimor parlamentar do të mbajë edhe një mbledhje ku do të shqyrtohet raporti dhe përgjigjet që kanë ardhur nga institucionet e shqiptare të cilave iu është kërkuar informacion.