Negociatat me kushte, Vasili: Shqiptarët nuk pranojnë më filmin e radhës

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka një plan për shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët.

Nga ana tjetër, ai tha se shpresa është integrimi evropian, por këmbënguli se skenari i një “PO”-je me kushte për hapjen e negociatave, sipas tij, do të thotë në fakt një “JO”.

“Edi Rama dhe Rilindja e kanë vënë popullin shqiptar përballë dy skenarëve: plaçkitja ekonomike në njërën anë dhe izolimi ndërkombëtar nga ana tjetër, si pjesë të projektit për shpërbërjen kombëtare të vendit, shpopullimin e shqipërisë nga shqiptarët dhe shkatërrimit të identitetit kombëtar me qëllim shndërrimin e një Shqipërie pa shqiptarë. Shqiptarët dhe këtë radhë sigurisht që janë shumë të përqendruar dhe presin me padurim që të kenë një lajm pozitiv, por kurrsesi nuk mund të pranojnë, as në shqip dhe as në anglisht, të rishohin filmin e radhës, të ridëgjojnë demagogjinë e radhës, të rishfaqet nëpër horizontet mediatike dhe politike hipokrizia e radhës e asaj të ashtuquajturës “Po” me kushte që do të thotë mos hapja e negociatave”, tha Vasili.

“Kemi nevojë të gjithë shqiptarët, politika dhe njerëzit e thjeshtë, për një proces të vërtetë, ai proces të cilin e kanë kaluar të gjitha vendet dhe ku të gjitha lojëra më procesin e integrimit europian sigurisht që janë një dëm i pallogaritshëm i Shqipërisë në momentin e krizës më të rëndë me të cilën është përballur ajo ndonjëherë, ku kryekriza është kriza e përfaqësimit politik, pra humbja e të drejtës së qytetarëve për t’u shprehur me votën e lirë dhe të ndershme, ku dhe zgjidhja e kësaj krize do të vijë vetëm nga vota e lirë dhe e ndershme”, shtoi Vasili.

Shkarkoni aplikacionin e A2