Një gjerman ruan “nderin” e Barcelonës në Dortmund

Është mbyllur në barazim pa gola ndeshja më e rëndësishme e natës së parë të Champions League, ajo mes Borussia Dortmund dhe Barcelonës, e vlefshme për Grupin F të këtij kompeticioni.

Ndeshja nisi e barabartë për të dyja ekipet me një dëshirë më të madhe  nga “verdhezinjtë” për të fituar për shkak se luanin në stadiumin e tyre. Rastet ishin sporadike dhe të dyja ekipet shpresonin në ndonjë gabim të mundshëm të njëri tjetrit për të shfrytëzuar. Pjesa e parë e takimit u mbyll në barazim 0-0. Në pjesën e dytë Dortmund ishte më konkret përpara portës, por ishte pikërisht një gjerman ai që mbajti rrjetën të paprekur për katalanasit.

Në minutën e 57 të takimit portieri Ter Stegen priti një penallti e cila u godit nga kapiteni i Dortmund, Marco Reus. Duket se gardiani i Kombëtares Gjermani i kishte studiuar mirë lëvizjet e bashkëkombasit të tij. Në minutat në vijim Borussia e shënjestroi dhe disa herë të tjera portën e Barcelonës, por Ter Stegen kishte vendosur t’i merrte për vete të gjitha meritat e kësaj ndeshje.

Në minutën e 60-të takimit u rikthye në fushë dhe Lionnel Messi i cili vuante nga një dëmtim prej muajit maj. Megjithatë “pleshti” ishte jashtë formës së tij optimale. Në takim tjetër të vlefshëm për Grupin F, Inter barazoi përballë modestëve të Slavia Prague me rezultatin 1-1.

Në ndeshjet e tjera të kësaj natë Lyon barazoi me Zenit 1-1, Ajax fitoi ndaj Lille 3-0, Benfica u mund në fushën e saj 1-2 nga Liepzig. Surprizë ishte ndeshja mes Chelsea dhe Valencias, me spanjollët që fituan në transfertë me rezultat minimal 0-1. Napoli rrëzoi nga froni kampionët aktualë të Liverpool duke i mundur pastër 2-0 në San Paolo, Ndërsa rezultati më i thellë u regjistrua në ndeshjen Salzburg-Genk 6-2.

Shkarkoni aplikacionin e A2