Tusk në Shkup: Keni plotësuar kushtet, të çelen negociatat

“Procesi i anëtarësimit në BE i ngjan më shumë një maratone sesa një sprinti 100 metërsh”.

Kështu u shpreh Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, gjatë vizitës së tij në Shkup duke nënvizuar se për të arritur vijën e finishit duhet durim, fuqi dhe fokusim. Zyrtari i Brukselit shprehu mbështetje të plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, ndërsa u prit në një takim nga kryeministri, Zoran Zaev.

Në konferencën për shtyp, Tusk lëshoi një mesazh të qartë për liderët e Unionit: “Shkupi është vendi më i mirë i mundshëm në të cilin dua t’i lëshoj një apel të qartë liderëve evropianë. Tani duhet të bëni pjesën tuaj, pasi Maqedonia e Veriut e ka bërë të sajën”.

Fjalët e zyrtarit evropian i dhanë shumë optimizëm kryeministrit Zaev, i cili beson në një vendim pozitiv në tetor: “Pritshmëritë tona për Këshillin e BE-së më 15 tetor dhe Këshillin Evropian më 17 tetor janë miratim i vendimit për hapjen e bisedimeve pa anulime të mëtejshme. Tusk do ta kryesojë me ne atë seancë historike”.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shkup, Tusk u takua dhe me Presidentin Stevo Pendarovski. Ky i fundit tha se pret që BE-ja të caktojë një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit. 

Shkarkoni aplikacionin e A2