Tusk në Tiranë: Të hapen negociatat! Merita juaj, nuk po ju bëjnë nder

Nga Brukseli në Tiranë, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, solli me vete sinjale optimiste për negociatat e Shqipërisë me BE-në.

I bindur se Shqipëria e ka vendin në BE, Tusk tha në krah të Ramës se integrimi i Shqipërisë dhe rajonit është në interes edhe të një Europe stabël, ndaj askush nuk po i bën askujt ndonjë nder.

“Në sajë të përpjekjeve tuaja i jemi afruar objektivit të çeljes së negociatave dhe askush nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël, as në Tiranë dhe as në kryeqytetet e BE-së. BE-ja duhet të çelë negociatat, si me Shqipërinë edhe me Maqedoninë”, tha Tusk.

Por, duket se rruga drejt Unionit, ende nuk është bërë “autostradë”, siç do të thoshte vetë Tusk në prillin e vitit të kaluar në Tiranë. Ai pranon se edhe pas hapjes se negociatave presioni nga BE do të vazhdojë. Ndaj Shqipëria, më shumë se sa llogari, duhet të japë rezultate konkrete.

“Ky obsesion i BE-së me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi, është pjesë e ADN-së sonë dhe ka për të qenë e tillë edhe kur ju të bëheni shtet anëtar”, tha Tusk.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama si rrallëherë u tregua i kursyer në fjalim. Vlerësimin që ka për Tusk, e materializoi edhe me një medalje.

“Pata mundësinë të falenderoj Presidentit për atë që ka bërë këtu në Tiranë. I akordoj yllin e madh të mirënjohjes, duke ndarë gjithashtu edhe disa momente të rëndësishme mes vendit tij dhe vendit tonë. Çmoj para të gjithë opinionit përpjekjen e tij si një avokat në procesin e integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Edi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2