Presidenti i Republikës Ilir Meta përshëndeti përmes një letre Kongresin e 7-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Për shkak të vizitës zyrtare që po zhvillon në Strasburg, mesazhi i Presidentit Meta në Kongres u përcoll nga Këshilltari i Pushtetit Lokal, Ylli Asllani.
Në letrën e Kreut të Shtetit renditen të gjitha problemet që sipas tij po has vendi.
“Sot jemi përsëri përpara një situate, në të cilën vlerat e demokracisë po shemben para syve tanë. Kjo nuk ndodh për shkak të rrugës së zgjedhur së bashku 30 vjet më parë, por si rrjedhojë e deformimeve që ka pësuar demokracia dhe sistemi qeverisës në këto vite. Mungojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shtypen sindikatat dhe zëri i tyre. Shtypi e media janë gjerësisht nën thundrën e censurës dhe në shërbim të shtetit propagandistik”, shkruhet në mesazhin e Metës.
Më tej, presidenti Meta nënvizon se në vend ka pllakosur mjerimi dhe se po instalohet një ekonomi larg interesave të qytetarëve.
“Në Shqipëri po instalohet një politikë dhe ekonomi larg interesave të qytetarëve dhe jashtë kontrollit të tyre. Në atdheun tonë të dashur mjerimi ka pllakosur vendin. Investimet po shterojnë dita ditës. Borxhi publik po paralizon ekonominë. PPP –te po vrasin të sotmen, por edhe të nesërmen e financave publike. Paga minimale nuk mund të ushqejë as në 1/3 e muajit familjet e varfra”, shton presidenti.
Në fund, Ilir Meta propozon për të dalë nga kjo situatë duhet një model i ri politik që duhet të dalë nga zgjedhjet e lira që punon për një shoqëri më të barabartë.
“Në këtë situatë ne duhet të mendojmë të gjithë së bashku për një frymë dhe model të ri politik të vendit. Për një shoqëri më sociale, të drejtë e të barabartë, për një rishpërndarje më të drejtë të të mirave materiale. Së pari ne duhet të kthejmë zgjedhjet e lira në këtë vend. Të mos lejojmë të flasin në emër të shtresave në nevojë ata që po pasurohen në kurriz të varfërisë së përgjithshme dhe së bashku me botën e krimit po vjelin çdo ditë të ardhurat e përbashkëta”, përfundon mesazhi i Presidentit.