Palmer për Shqipërinë: SHBA nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike

Në një intervistë të dhënë të mërkurën për “Zërin e Amerikës”, Matheë Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, ndër të tjera u pyet edhe për situatën politike në Shqipëri, duke u shprehur se Amerika nuk zgjedh fitues dhe humbës në lojën politike.

Ai theksoi se SHBA dëshiron një dialog midis qeverisë dhe opozitës për reformat e rëndësishme dhe rekomandimet e OSBE.

“Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme”, u shpreh Palmer.

Shkarkoni aplikacionin e A2