Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

Patozi: Gati të bashkëpunoj me Bashën, edhe me Rilindjen, por me një kusht

Nga A2 CNN
18 Shtator 2019, 13:59 | Politikë
Patozi: Gati të bashkëpunoj me Bashën, edhe me Rilindjen, por me

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi për A2 se është i gatshëm të bashkëpunojë me Partinë Demokratike, por edhe me qeverinë, mjafton që të kenë vullnet për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Kur u pyet se si do të vepronte nëse merr ftesë nga Lulzim Basha, Patozi u përgjigj: “Unë jam në krah të çdo faktori opozitar, ku përfshihet sigurisht edhe PD, mjafton që të jemi bashkë në qëllimin final për ta rrëzuar këtë qeveri me zgjedhje të parakohshme, sipas disa standardeve të reja që të anashkalojmë këtë sistem të kalbur politik. Unë nuk refuzoj askënd për bashkëpunim politik. Jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me Rilindjen nëse qeveria është dakord për ndryshimin e sistemit”.

“Ky sistem, që është në grahmat e fundit, ka degraduar dhe ka prodhuar krizat e fundit. Sistemi ynë politik favorizon qartazi partitë kryesore dhe i ka kthyer këto parti në sulltanate të kryetarëve. Ne përveçse kemi sistem të keq, e aplikojmë edhe keq. Partitë kryesore duan ta ruajnë këtë sistem. Duhet t’i çlirojmë partitë nga sundimi i njëshit dhe të çlirojmë institucionet, për të shkuar në zgjedhje normale. Partitë kryesore mund të mos bien dakord për asgjë në këtë botë, por bien dakord pa u takuar fare kur vjen puna te sistemi”, tha Patozi në studion e Ditari.

Patozi theksoi se aktualisht “jemi në një situatë absurde, ku mazhoranca nuk di çfarë të bëjë me mbipushtetin dhe opozita nuk po di ku të fusë kokën nga mungesa e tij në të gjitha nivelet”.

“Kjo vjen nga kriza e fortë e përfaqësimit politik që zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme, pasi në rast se do ta lejojmë qeverinë që të “zvarritet” deri në vitin 2021, do të kemi humbur shumë si qeveri. Ne kemi nevojë ulëritëse për partnerët tanë strategjikë, sidomos tani. Kur humbin vëmendjen ndaj Shqipërisë, ne gjithmonë kemi bërë gabime të tmerrshme, si pazari i para dy viteve dhe kriza e 30 Qershorit. Kush mendon se e zgjidh vetë, unë them që ne jemi problemi, jo zgjidhja”, shpjegon Patozi.

Kur u pyet mbi opozitën që ka mendime të ndryshme mbi zgjedhjet me apo pa Ramën kryeministër, Patozi theksoi: “E shikoj shenjë të mirë që një pjesë e opozitës ka hequr dorë nga kushti absurd, sipas meje, që nuk shkojnë në zgjedhje pa Edi Ramën. Sigurisht që nuk më vjen mirë të shikoj kaotizëm te opozita sepse e konsiderojmë veten faktor opozitar. Do të donim që opozita të ishte e bashkuar në idenë e zgjedhjeve të parakohshme, me apo pa Edi Ramën”.

Në lidhje me konfliktin President-qeveri, Patozi u shpreh se ky konflikt “është shenjë e degradimit të sistemit”.

“Të dyja palët janë përgjegjëse për sa po ndodh. Mazhoranca mban përgjegjësi për zgjedhjen e panatyrshme të zotit Meta asokohe, nga ana tjetër shoh një teprim të rolit të Presidentit. Sipas meje, shkelja e Kushtetutës ka qenë flagrante, por janë institucionet ato që vendosin. Unë nuk mendoj se shkarkimi i Metës e zgjidh krizën”, deklaroi Patozi.

A2 CNN Livestream

Dita jonë