PD publikon tjetër dokument: Babani i arrestuar në Itali me emër tjetër në vitin 1996

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, publikoi një tjetër dokument këtë të mërkurë, sipas të cilit vërtetohet se Mark Babani është arrestuar dhe dëbuar nga Italia, pasi ishte arrestuar atje në vitin 1996 me emrin Fatmir Babaj.

“Mark Babani ka përdorur disa emra për të mbuluar të kaluarën e tij kriminale, por ai nuk mund ta fshehë dot të vërtetën. Përveç dokumentit për arrestimin në 1994-ën me një emër tjetër, dënimin, burgosjen dhe dëbimin nga Italia për vjedhjen e makinave në Siçili nga Mark Babani, Partia Demokratike disponon dokumente që Mark Babani ka përdorur një identitet tjetër të rremë për të hyrë në Itali 2 vjet më vonë, në 1996-ën”, tha Bardhi në një dalje për mediat.

“Dokumenti që po paraqesim, që gjithashtu është nxjerr nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali, ka një element plus, të cilin Mark Babani nuk mund ta mohojë. Në këtë dokument është fotografia e tij me emrin Fatmir Babaj. Në vitin 1996, me këtë identitet të rremë, krimineli i Edi Ramës në Vaun e Dejës, ka tentuar të hyjë në Itali, pasi ishte dëbuar për vjedhjen e makinave, por është arrestuar sërish nga policia italiane. Kartela e arrestimit tregon qartë se Mark Babani me emrin Fatmir Babaj kishte shkelur dënimin e gjykatës për dëbimin e tij nga Italia si hajdut makinash në vitin 1994. Policia italiane bëri lidhjen se Fatmiri në foto dhe Marku i Ramës në Bashkinë e Vaut të Dejës janë i njëjti person.

Ai u arrestua më datë 24 janar 1996 me identitetin e rremë Fatmir Babaj, dhe u mbajt në burg deri më datë 27 Janar 1996, ku u provua se ishte Marq Babaj, i dënuar në Itali për vjedhje në rrethana rënduese të kryer në bashkëpunim. Siç faktojnë dokumentet, Mark Babani u dëbua për herë të dytë brenda dy vjetëve nga Italia. Dokumentet që po bëjmë sot publikë janë autentikë. Foto në sistemin Italian të burgjeve, provon se Fatmir Babaj i vitit 1996, është i nëjti me Marq Babaj e vitit 1994, dhe ekzaktësisht i njëjti person me Mark Babanin, kandidatin e Edi Ramës për Bashkinë e Vaut të Dejës”.

Sipas PD, kjo vërteton edhe një herë faktin që Mark Babani është subjekt i ligjit të dekriminalzimit dhe duhet të procedohet menjëherë penalisht për falsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit. “Çdo vonesë nga ana e prokurorisë tregon bashkëpunimin në krim të Arta Markut dhe vartësve të saj në Prokurorinë e Përgjithshme”, shtoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2