Premtimi i Bashës: Do ta bëjmë 400 euro pagën minimale – A2

Premtimi i Bashës: Do ta bëjmë 400 euro pagën minimale

619218d0 c6f5 40f1 b99a 64f4bf088607 1100x620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e mbajtur në Kongresin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, premtoi se nëse vjen në pushtet do të rrisë pagën minimale deri në 400 euro.

“Deklaroj vendimin e Partisë Demokratike për të kaluar brenda 6 muajit të parë të mandatit qeverisës, pagën minimale 300 Euro dhe brenda 4 viteve në masën 400 euro për çdo punëmarrës”, tha Basha.

Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se “premtoi vende të reja pune, por mbylli shumë vende, mbylli në masë biznesin e vogël dhe largua investitorët e huaj”.

“Me kushtet e duhura të punësimit dhe me klimën e duhur të sipërmarrjes, ne mund të kapërcejmë parashikimet më optimiste. Për këtë na duhet një drejtim i ri dhe na duhet shpejt. Opozita e bashkuar e ka planin për një Shqipëri evropiane dhe së bashku me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë po bëjmë gati shpalosjen e këtij plani. Të drejtat e punëtorëve janë të drejta themelore të njeriut dhe respektimi i tyre është e vetmja rrugë për një shoqëri të lirë dhe të drejtë. Objektivi ynë është hapja e vendeve të punës duke kthyer investimet e huaja”, u shpreh Basha.