Shehu: PD i qëndron platformës politike të muajit shkurt

Tritan Shehu, ish-deputet i Partisë Demokratike, zbuloi në studion e Ditari në A2 se si do të pozicionohet Partia Demokratike deri në 18 Tetor.

“Partia Demokratike i qëndron platformës së saj politike të muajit shkurt, që duhet zhvilluar. Jam i bindur se forumet e PD-së do të shpalosin elementët konkretë të zhvillimit të betejës politike në këtë periudhë shumë tragjike për vendin, pasi ngjarjet po rrokullisen keq e më keq”, deklaroi Shehu.

Ish-deputeti theksoi se “vendimi për të lënë Parlamentin nuk ka qenë i lehtë, por i detyruar”.

“Dalja nga Parlamenti nuk i zgjidhi, por i ekspozoi problemet”, nënvizoi Shehu, sipas të cilit, faji që Shqipërisë deri tani nuk i janë hapur negociatat është vetëm i qeverisë.

“Kemi 3 herë rresht që marrim vetëm kushte të reja dhe nuk hapen negociatat dhe kjo është e lidhur me krimin, korrupsionin, politikat absurde rajonale dhe të jashtme dhe veçanërisht me shkatërrimin e vitës së lirë, që është baza e demokracisë. Është përgjegjësi totale e kësaj Rilindjeje që ka bllokuar procesin integrues. Kur PD-ja ka qenë në pushtet, Shqipëria realizoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe u bë liberalizimi i vizave. Negociatat nuk u bllokuan kur dorëzuam ne mandatet, por ka 3 herë rresht që nuk hapen, edhe kur opozita ishte në Parlament dhe në qeverisjen lokale”, u shpreh Shehu.

Ish-deputeti demokrat theksoi gjithashtu se “Reforma Zgjedhore nuk mund ta zgjidhë krizën politike në Shqipëri”, pasi, sipas tij, Shqipëria “është një vend në shkelje të institucioneve dhe po ecet me shpejtësi drejt despotizmit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2