Studimi: Një material i ri do të mundësojë ndërtimin e një “ashensori” drejt Hënës

Një ashensor për në hënë. Nuk është titulli i një kënge dashurie, as një skenar për një film fantastiko-shkencor. Është studimi i detajuar i dy universiteteve prestigjioze si Columbia University dhe Cambridge.

Studiuesit thonë se tashmë me teknologjitë ekzistuese, dhe me shumë fonde, është i mundur ndërtimi i njëlloj “ashensori” që do të lidhte Tokën me satelitin e saj, Hënën.

Arsyeja kryesore që do të mundësonte lidhjen e distancës 362 mijë kilometra mes tyre është gjetur në një material të ri, i quajtur zylon, një polimer karboni shumë i fortë që mund të përballë çdo rrezik edhe në hapësirë.  Sipas studimit, do të mjaftonte një kabull me dimensionet e një stilolapsi për të krijuar bazën e ashensorit, që më pas do të shfrytëzonte pjesërisht energjinë diellore për funksionimin e tij.  

Në detaj, ngarkesat do të arrinin me raketat e sotme deri në një stacion të ndërmjetëm, dhe më pas do të shfrytëzonin ashensorin.  

“Do të ishte një hap tejet i rëndësishëm në kapacitetet tona si qenie për të lëvizur brenda sistemit diellor”, thonë shkencëtarët.

Edhe pse kostoja e realizimit do të përllogaritej në miliarda dollarë, sërish do të “reduktonte me një të tretën koston e karburantit që nevojitet për të shkuar në Hënë”, duke vënë bazat konkrete për ndërtimin e një stacioni të përhershëm në satelitin tonë.  

Shkarkoni aplikacionin e A2