Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, një OJF me seli në Berlin, thotë në një intervistë për “European Western Balkans” se Bashkimi Europian me shumë gjasa do të çelë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, por për vendin tonë do të ketë kushte.
Ai gjithashtu shprehet se vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut u penalizua nga fakti që Gjermania kërkonte të mos ndahej nga Shqipëria, ndërsa Franca ishte e gatshme të niste bisedimet me të, por jo me Shqipërinë.
“Maqedonia u shndërrua në dëm kolateral i vendimit për Shqipërinë. Qershorin e kaluar pati një përplasje mes Berlinit edhe Parisit, kjo e fundit bllokoi procesin për shkak të polarizimit politik në Shqipëri. Maqedonia u bë viktimë e këtyre rrethanave”, tha Weber. “Ndërsa në qershorin e këtij viti, përplasja ndodhi brenda Gjermanisë. Socialdemokratët këmbëngulën që të dy vendet duhet të merrnin dritën jeshile pa kushte, ndërsa grupi CDU/CSU ishte shumë negativ drejt Shqipërisë”.
Gjithsesi, këtë herë, Weber mendon se të dy shtetet do të marrin miratimin për nisjen e bisedimeve. “Duket se koalicioni qeverisës në Gjermani po arrin të merret vesh. Nuk dihet nëse ka ende një marrëveshje mes Berlinit dhe Parisit, por zgjidhja mund të jetë një ndarje e pjesshme. Maqedonia do të marrë dritën jeshile pa kushte, ndërsa Shqipëria me kushte. Kjo duket zgjidhja më e përshtatshme, pasi, nëse Maqedonia e Veriut nuk shpërblehet pas gjithë vendimeve të marra, atëherë i gjithë procesi do të cenohej”, shtoi Weber.