Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Dosja Tahiri, shkëlqimi dhe rënia e ''Kampionit'' të Ramës

Nga A2 CNN
19 Shtator 2019, 19:05 | Politikë
Dosja Tahiri, shkëlqimi dhe rënia e ''Kampionit''

Nga kampioni i qeverisë Rama dhe shprehja e famshme për policinë dhe aksionet e saj, shumë shpejt figura e Saimir Tahirit do të përballej me akuza të rënda.

Në shtator të vitit 2015 ish shefi i antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani e akuzoi se dekonspironte aksionet e policisë për kapjen e trafikantëve të drogës. Zagani foli nga arratia duke denoncuar përdorimin në narko-trafik të makinës së famshme të Saimir Tahirit nga kushërinjtë e ministrit në Vlorë.

Në atë kohë Tahiri, por edhe kryeministri i injoruan dhe mohuan akuzat duke i quajtur “baltë nga kazani që po i hidhej qeverisë”. Por nuk do të kalonte shumë dhe një muaj më pas, policia italiane njoftoi arrestimin e 7 personave, pjesë e trafikut të droges. Kreu i tyre ishte Moisi Habilaj, kushëri i Saimir Tahirit.

Një ditë pas arrestimit, Partia Demokratike publikoi dosjen e plotë ku mes 413 faqeve me përgjime përmendej edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm. Menjëherë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi që atë ditë një kërkesë Kuvendit, ku pikë e parë ishte lejimi për arrestimin e Saimir Tahirit. Pas disa seancash komisioni për mandatet mori vendim, por jo për të hequr imunitetin e deputetit socialist. Maxhoranca pranoi vetëm kërkesën për kontrollin e shtëpisë së tij. Fjalën e fundit e kishte Kuvendi.

Përpara se të vendosej me votë për Saimir Tahirin foli dhe kryeministri Rama. Fjala e tij në grupin parlamentar do të mbahet mend kjo dhe për epitetet në drejtim të Tahirit. 

“S’besoj se ka nevojë të them këtu, pse do të ishte zhgënjimi më i rëndë në kujtesën time dhe mësimi më i hidhur i jetës sime në shërbimin publik, nëse do të zbuloja në fund të kësaj historie se Saimir Tahiri nuk është ai që unë njoh, që e kanë besuar e mbështetur me gjithësej, pas meje, kaq shumë njerëz, po një vemje, e cila e turpëron fjalën njeri!”

https://youtu.be/iNN08097-5w

Kreu i qeverisë sulmoi hapur edhe prokurorët e çështjes. “Ku u gjet ky zell i panjohur, i një Prokurorie Krimesh të Rënda që s’ka lëvizur gishtin që kur ka lindur, jo për ndonjë nga mijëra akuzat e ngritura sheshit nga njerëz publikë, jo përgjime nga llumi i krimit, po as për ca fakte e për ca prova që dihen e shihen ashiqare, si të dyshimta e shumë të dyshimta madje, për të përdorur terma juridikë, në pasqyrën e viteve të jetës së asaj Prokurorie?” 

Një ditë pasi KQZ vendosi zëvendësimin e Tahirit, pas dorëheqjes së tij, Krimet e Rënda kërkuan arrestin. Gjykata vendosi “arrest shtëpie”.  Gjatë gjithë kësaj kohe mbi ish Ministrin e Brendshëm rëndonin akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës, por edhe grupit të strukturuar kriminal, ndërsa hetimet u zgjatën për disa muaj deri kur vetë ish ministri kërkoi gjykim të shkurtuar, i bindur se është i pafajshëm.   

A2 CNN Livestream

Dita jonë