PD: Ligjet e Ramës i mohojnë pronën pronarëve

Partia Demokratike ka zhvilluar një takim në seli me përfaqësues të Komisionit të Venecias për çështjen e pronave.

Pas takimit, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi dhanë një prononcim për mediat, ku zbuluan se për çfarë u diskutua konkretisht.

“Në 6 vitet e fundit ka pasur përkeqësim në të drejtën e pronës. Nuk është e re historia e kësaj qeverie me pronat, Rama e ka nisur që kur ka qenë kryetar bashkie. Ligji i Kadastrës dhe shumë ligje të tjera shkelin të drejtën e njeriut për pronën. Qeveria po harton dhe ligje që krijojnë norma të paprecedenta për vendet e rajonit. Reflektuam vizionin që ka PD për çështjen e pronës”, tha Tabaku.

Ndërsa Bylykbashi theksoi se përfaqësuesve të Komisionit të Venecias iu “shpjegua mekanizmi djallëzor që ka futur Edi Rama” për të marrë pronën e shqiptarëve.

“Procesi që bllokoi kthimin e pronave ka një qëllim të vetëm: të marrë pronën dhe t’ia japë oligarkëve për të zhvilluar interesat e tyre të biznesit sikur të jetë interes publik. Bllokimi i Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit të drejtësisë është i qëllimshëm në kuadër të këtij mekanizmi, që pronarët mos të kenë ku të ankohen. Ligjet do të zhbëhen kur të kthehet PD në pushtet”, tha Bylykbashi.

Shkarkoni aplikacionin e A2