Shitjet në rrjetet sociale, eksperti: Pa taksa, konkurrencë e padrejtë

Së fundmi, në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera të botës po zhvillohet një formë inovative e të bërit tregti. Janë të shumtë ata që shesin produkte dhe shërbime të ndryshme nëpërmjet rrjeteve sociale, kryesisht Instagramit, duke mos paguar asnjë taksë apo tatim.

Vjoldi Danaj, ekspert për inovacionin tregon sesi mund të rregullohet ky aktivitet, që për momenton është një mundësi e mirë punësimi për mijëra të rinj.

“Realizimi i një platforme të madhe do e bënte të pamundur ekzistencën e bizneseve të paregjistruara ose fantazmë siç i quaj unë. Janë biznese që nuk janë të regjistruara, por që merren me shitje online. Mund të jetë thjesht një individ që shkon merr një sasi produkti jashtë Shqipërisë dhe e shet pa paguar asnjë lloj takse. Kështu që kjo platformë do të mundur dhe formalizimin e këtij tregu sepse normalisht që të bëhesh pjesë e një platforme online t’i duhet të jesh i identifikuar si biznes dhe shitjet duhet të jenë gjithmonë të gjurmuara. Çdo lloj porosie që do të bëhet do të ketë një kod identifikimi dhe pagesa që do të bëhet do të jetë gjithmonë e gjurmueshme nga autoritetet” deklaroi Danaj.

Por pavarësisht se nuk paguajnë taksa, bizneset e Instagramit janë një mundësi punësimi për mijëra të rinj, që nuk gjejnë alternativë tjetër në tregun e punës. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se papunësia e të rinjve në Shqipëri është rreth 21%.

Shkarkoni aplikacionin e A2