Tahiri: Unë jam këtu për një makinë, të tjerë nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit trafikantë

Në pritje të vendimit nëse do të dënohet apo jo për akuzat e trafikimit të drogës, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka vazhduar të mbrohet në sallën e gjyqit, duke përmendur tërthorazi edhe pasuesin në detyrën e ministrit, Fatmir Xhafaj.

“Unë jam këtu si i pandehur vetëm për shitjen e një makine, ndërkohë ka njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi as për vëllezërit trafikantë”, mësohet të ketë thënë Tahiri në sallë. “Drejtësia është në dorën tuaj. Nëse ju gjeni një provë për mua unë iki vetë në burg. Kjo çështje është vetë jeta ime”.

Vëllai i ish-ministrit, Agron Xhafaj, po vuan në Itali një dënim për trafik të lëndëve narkotike, pasi u vetëdorëzua kur dënimi që ishte dhënë ndaj tij nga drejtësia italiane u bë publik nga opozita, si pjesë e çështjes “Babale”, e cila gjithashtu po trajtohet në gjykatë.

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes “Habilaj”. Sipas Prokurorisë, Tahiri ka garantuar paprekshmërinë e grupit të Habilajve në trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë. Katër janë episodet e trafikut të listuar nga Prokuroria. i pari në 25.10.13, ku janë bllokuar 1,6 tonë kanabis, 27.2.14, ku janë bllokuar 287 kg, 29.7.14 ku janë bllokuar 293 kg dhe 8-9.5.15 ku janë bllokuar 880 kg.

Shkarkoni aplikacionin e A2