Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Historiku i karrierës politike të Saimir Tahirit

Nga A2 CNN
20 Shtator 2019, 13:19 | Politikë
Historiku i karrierës politike të Saimir Tahirit

Në vitin 2005, vetëm 26 vjeç, Saimir Tahiri u prezantua nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, si zëdhënësi i ri i partisë, atëherë në opozitë.

4 vite më pas, ai ishte pjesë e Kuvendit si deputet në listat e Tiranës, për zonën e Kombinatit. Zgjedhjet e vitit 2009 nuk u fituan dot nga PS-ja dhe Tahiri ishte një ndër zërat më kritikë opozitarë.

Pasi mori mandatin e deputetit, në vitin 2012 mori drejtimin e Partisë Socialiste të Tiranës. Ndërkohë, iu dha dhe posti i drejtuesit të fondacionit “Qemal Stafa”. Devotshmëria u shpërblye me karrigen e ministrit të Brendshëm në shtator të vitit 2013, sapo pas rotacionit politik, Edi Rama mori drejtimin e qeverisë.

Që prej asaj kohe, “Saje qorri”, siç do ta thërriste Sali Berisha shpeshherë gjatë përballjeve në Kuvend, u bë ministri më i sulmuar nga PD. Në mënyrë të veçantë opozita i faturonte atij lidhjet e errëta me një personazh të njohur të botës së krimit, Emiljano Shullazin.

Lazarati ishte arritja e tij më e madhe. Fshati i vogël pranë Gjirokastrës, pas aksionit policor nuk ruante statusin e republikës së pavarur ku kultivohej drogë. Por, i gjithë vendi, sipas opozitës, u pushtua nga droga. Ndërsa qeveria nuk mendonte kështu.

Në maj të vitit 2017, Edi Rama largon nga kabineti Tahirin së bashku me 3 ministra të tjerë. Kërkesë e Ilir Metës apo ndërkombëtarëve? Këtyre pyetjeve Rama iu përgjigj thjeshtë, duke e quajtur publikisht Tahirin kampion.

Rikthimi në Kuvend pas zgjedhjeve nuk ishte i qetë për ish-ministrin, pasi vetëm muaj më pas prokuroria nis aksionin ndaj tij. Dhe pavarësisht mbrojtjes fillestare, totalisht i zhgënjyer nga të tijët, në maj të vitit 2018 Saimir Tahiri jep dorëheqjen si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke mbyllur kapitullin me politikën.

Përkohësisht apo përfundimisht, mbetet ende për t’u parë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë