Pse ra akuza për Tahirin? Gjykata: Marrëdhënia me ish-ministrin u krijoi lehtësi Habilajve

Saimir Tahiri u shpall fajtor nga Gjykata për Krimet e Rënda, por jo për ndonjë prej akuzave për të cilat rrezikonte 12 vite burg. Pas 9 orë e 30 minuta në dhomën e këshillimit treshja gjykuese rrëzoi akuzën e trafikut të drogës dhe grupit kriminal dhe i ngarkoi ish-ministrit një përgjegjësi të re penale, shpërdorimin e detyrës.

Gjykimi i shkurtuar ia uli masën në 3 vjet e 4 muaj, por përfundimisht u vendos lënia e tij në provë për 3 vjet, kohë gjatë së cilës nuk duhet të kryejë vepra penale, apo të takohet me të dënuar. Sipas gjykatës, ndonëse nuk provohet që Tahiri të ketë përfituar financiarisht apo qenë anëtar i grupit të “Habilajve”, ruajtja e një marrëdhënieje me Moisi Habilajn, i ka krijuar lehtësi grupit për infiltrimin tek zyrtarët e Policisë së Shtetit.

I shpalluri fajtor buzëqeshi para kamerave dhe shprehu habi për vendimin. Në të njëjtin vendim, gjykata rrëzoi akuzën për trafik droge e grup kriminal edhe për ish-shefin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i gjykuar në mungesë, duke e dënuar me 5 vjet burg për “shpërdorim të detyrës”.

Shkarkoni aplikacionin e A2