Renditja e shkollave më të mira, ekspertët kritika vlerësimit

Çdo vit shkollat e Tiranës i nënshtrohen vlerësimit nga drejtoria arsimore, referuar arritjeve të nxënësve në mësime, në testime kombëtare dhe nivelit të kalueshmërisë në lëndët bazë. Matja më e fundit e performancës së institucioneve publike dhe private është bërë në vitin shkollor 2017-2018.

Shkolla më e mirë 9-vjeçare publike është renditur “Edith Durham”, e ndjekur nga “Misto Mame”, “Ali Demi”, “Emin Duraku” dhe “Jeronim De Rada”. Ndërsa mes shkollave private, vendin e parë e mban “Fenix”, pasuar nga “Ernest Koliqi”, “Vatra e Dijes”, “Protagonistët” dhe “Turgut Ozal”.

“Qemal Stafa” është renditur si gjimnazi më i mirë publik, i ndjekur nga “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali”, “Petro Nini Luarasi” dhe “Partizani”. Për sa i përket gjimnazeve private, vendin e parë e mban “Ernest Koliqi”, i ndjekur nga “Mehmet Akif” për vajza, “Protagonistët”, “Turgut Ozal” dhe “Mehmet Akif” për djem.

Por pavarësisht renditjes, specialisti i arsimit, Fatmir Vejsiu, shprehet kritik për formën e vlerësimit të shkollave. Ai thotë për A2 se duhet të ketë vetëm një renditje për të gjithë shkollat, pasi programet mësimore që zbatohen janë të njëjta. “Të ndash shkollën publike me shkollën private është shumë gabim, mendoj unë. Shkolla është një dhe duhet të renditen nga më e mira te më pak e mira”, thotë Vejsiu.

Sa i përket dilemës së prindërve, nëse kanë bërë lëvizjen apo zgjedhjen e duhur për arsimimin e fëmijëve, ish-drejtuesi i lartë i arsimit parauniversitar u sugjeron prindërve të orientohen nga mësuesi dhe arritjet e tij. “Mësuesi është ai që e bën shkollën”, shprehet Vejsiu.    

Çdo vit, Tirana përballet jo vetëm me lëvizjen më të madhe të nxënësve nga një institucion në tjetrin, por dhe me kërkesat e shumta të prindërve për t’i regjistruar në shkollat me emër,    pavarësisht kostos dhe distancave nga shtëpia.

Shkarkoni aplikacionin e A2