Vitin e ardhshëm do të zhvillohet Censusi i Popullsisë

Vitin e ardhshëm do të zhvillohet Censusi i Popullsisë dhe Banesave, aktiviteti më i rëndësishëm i statistikave kombëtare. Bëhet fjalë mbi përditësimin e të dhënave mbi numrin e popullsisë, moshës, punësimin, zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Numërimi do të nisë në tetor të vitit 2020 dhe paraprihet nga një numërim pilot në muajin e ardhshëm. Censusi do të kushtojë 16.4 milionë euro dhe do të angazhojë 8500 persona që do të pyesin çdo familje në territorin e vendit.

“Nëpërmjet censusit do të grumbullohen të dhëna të rëndësishme nga të gjitha familjet në vend. Do të sigurohen informacione kryesore mbi popullsinë dhe banesat. Do të shikohen ndryshimet e popullsisë në dekadën e fundit, madhësia, struktura e familjeve, migracioni, arsimi, punësimi, kushtet e banimit dhe fenomene të tjera”, deklaroi drejtoresha e komanduar e INSTAT, Elsa Dhuli.

“Censusi do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme për furnizimin me informacion jetik për të zhvilluar dhe testuar politikat sociale. Për të planifikuar dhe zbatuar shërbime publike specifike dhe për të përcaktuar fondet e duhura atje ku ka më shumë nevojë”, u shpreh ambasadori i BE, Soreca.

Censusi 2020 vjen dhe me një risi teknologjike, me përdorimin e tabletave dhe anketave dixhitale për plotësimin e pyetësorit.

Shkarkoni aplikacionin e A2