Investimet publike, në 8 muaj u realizuan vetëm 42% e planit vjetor

Shqiptarët nuk po marrin mbrapsht atë për të cilën i paguajnë shtetit përmes taksave. Qeveria ka shpenzuar 38 miliardë lekë për investime publike në periudhën Janar-Gusht, ose 5.6 miliardë lekë më pak krahasuar me planifikimin. Ndërsa në total në 8-muaj, janë realizuar vetëm 42% e planit vjetor.

Ekspertët deklarojnë se shteti po kompenson në këtë mënyrë mbledhjen e dobët të të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat. Por me shërbimet e munguara në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, rrezikon të dëmtojë më tepër ekonominë.

“Kemi afërsisht 250 milionë dollarë më pak investime të kryera nga Qeveria këtë vit, nga buxheti i taksapaguesve, investime që nuk do të kryhen edhe vitin e ardhshëm”, thotë Dorjan Teliti, ekspert për ekonominë, drejtor kabineti në Partinë Demokratike. “Janë realizuar 100% pagesat për koncesionet publike, për PPP-të, por nuk realizohen pagesat për ndihmën ekonomike, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe investimet publike”.

Investimet publike janë një ndër gjeneruesit kryesorë të rritjes ekonomike, që në vendin tonë u ngadalësua në vetëm 2.2% gjatë tremujorit të parë të rritjes. Elementët e tjerë të rritjes: konsumi, eksportet dhe investimi privat kanë shfaqur gjithashtu një ecuri anemike.

Shkarkoni aplikacionin e A2