PD: Uji në Tiranë i ndotur, rrezik për shëndetin e qytetarëve

Orjola Pampuri, ish-deputete e PD.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, tha në një dalje për mediat se uji që vjen në shtëpitë e qytetarëve të Tiranës është i ndotur dhe rrezikon shëndetin e njerëzve.

“Me mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm, kushtet e jetesës në Tiranë janë përkeqësuar gjatë drejtimit të qytetit nga Erion Veliaj. Që kur ujësjellësi kaloi në pronësinë e plotë të Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti po vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe, akoma më keq, uji shkon i ndotur në shumë familje shqiptare”, tha Pampuri.

“Autobotet dhe bidonët e ujit janë simbolet e një qyteti të qeverisur keq, pa investime dhe të vjedhur nga Erion Veliaj. Kryetari i paligjshëm i Bashkisë se Tiranës është përgjegjës për shëndetin e mijëra qytetarëve të Tiranës me deklaratat e tij të papërgjegjshme se uji që vjen në rubinete është i sigurt. Arsyeja pse ne nuk kemi ujë në shtëpi dhe bizneset tona, megjithëse e paguajmë atë më shtrenjtë se kushdo në Shqipëri, është rezultat i drejtpërdrejtë i vjedhjes nga ata që drejtojnë kryeqytetin. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se ndërkohë që në shtëpitë e tyre nuk ka ujë te pijshëm, Erion Veliaj fiton 11 milionë euro në vit nga ujësjellësi pa i investuar ato. Investimi i vetëm i Kryebashkiakut që gënjen është rritja e vazhdueshme e çmimit të ujit, plan nga i cili Erion Veliaj nuk ka hequr dorë akoma”, shtoi ish-deputetja e PD.

Shkarkoni aplikacionin e A2