U shpall fajtor për shpërdorim detyre, Tahiri tregon sot “të vërtetën e tij”

Saimir Tahiri pritet të dalë në një konferencë për mediat këtë të shtunë, ku do të komentojë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e tij për “shpërdorim detyre” dhe rrëzimin e akuzave nga Prokuroria për “trafik ndërkombëtar droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ish-ministri i Brendshëm fillimisht deklaroi se do të fliste të premten, por përmes një postimi në Facebook shtyu takimin me gazetarët me një ditë. “Nesër në 11:30 shihemi live këtu, për të shpjeguar të vërtetën time, deri në këtë stacion të parë”, shkroi të premten Tahiri. Kur doli nga salla e gjyqit të enjten, pas një seance maratonë që zgjati 14 orë, Tahiri u shpreh i befasua nga vendimi. “Për 2 vite më quajtën trafikant, tani më thanë që nuk jam trafikant”, u shpreh ai.

Për vendimin ndaj tij reaguan edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar, të cilat mirëpritën dënimin e një zyrtari të lartë, por e quajtën “shkurajues” duke pasur parasysh akuzat e ngritura ndaj tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2