Familja Çaushi në Qafëzezë, në çadër dhe me kushte të vështira ekonomike

Familja Çaushi në fshatin Qafëzezë është një nga dhjetëra familjet të cilave iu dëmtuan banesat nga tërmeti i rënë 1 qershorin e këtij viti.

Prej katër muajsh, pesë anëtarët e kësaj familje i kalojnë netët në çadrën që e kanë montuar në oborrin e banesës së dëmtuar, ndërsa ende nuk ka asnjë veprim konkret për riparimin e banesës.

Jetesa nën çadër, përveç të tjerave, ka një tjetër rrezik, pasi ajo është montuar buzë një përroi, i cili në kohë reshjesh sjell prurje të mëdha duke rrezikuar përmbytjen e çadrës.

Por banesa e dëmtuar dhe jetesa nën çadër është vetëm një pjesë e problemeve. Pamundësia ekonomike e kësaj familje është në kushtet e të papërballueshmes, pasi kanë edhe një vajzë me probleme mendore e kategorisë së dytë dhe kempi për vajzën është e vetmja e ardhur që vjen nga shteti, përveç atyre pak të ardhurave që vijnë nga produktet bujqësore.

Edhe pse kryefamiljari tregon vështirësitë dhe shpreson në një të ardhme më të mirë, bashkëshortja i kërkon ndihmë shtetit të paktën për vajzën e sëmurë.

E ndërsa kjo familje apelon për ndihmë, dimri po afrohet dhe në këto anë jetesa nën çadër në dimër është e papërballueshme. 

Shkarkoni aplikacionin e A2